Naim Ternava

Myftiu Naim Tërnava bën thirrje për ndalje të grevës

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava u ka bërë thirrje sindikatës së arsimit dhe asaj të administratës të ndërpresin grevën dhe t’u kthehen institucioneve.

Përmes një konference për media, Tërnava potencoi se për hir të misionit që bartin mësuesit, duhet të ndalin grevën e fëmijët t`u kthehen bankave shkollore.

“Ne mbështesim kërkesën e mësimdhënësve për pagë të dinjitetshme ngase janë edukuesit e fëmijëve tanë. Thërras SBASHK-un që për hir të misionit që bartin mbi vete, që sot ta ndërpresin grevën dhe që nesër fëmijët tanë të kthehen në bankat e shkollës”- tha ai.

“Po ashtu, thërras sindikatën e shërbyesve civil që të ndërpresin grevën dhe të kthehen në punë që të jenë në funksion të qytetarëve”- shtoi më tej Tërnava.

Tërnava po ashtu përmendi edhe mësimin që ishte organizuar ne vitet ’90-ta, duke shtuar që sindikalistet t’i kërkojnë të drejtat përmes dialogut social.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që nga shtyllat themelore të vendit tona gjatë viteve 90-ta në përballje me okupimin serb ka qenë organizimi i pavarur i mësimit në kuadër të shkollës shqipe. Të drejtat e tyre sindikatat t’i kërkojnë përmes dialogut social duke pasur parasysh interesin e popullit. Apeloj të dy udhëheqësit e sindikatave që të tregohen të arsyeshëm dhe ti kthehen normalitetit”- shtoi ai.

Myftiu i Kosovës i ka bërë kërkesë edhe qeverisë dhe Kuvendit që të miratojnë ligjin për paga dhe t’i marrin në konsideratë kërkesat e sindikalistëve.

“Gjithashtu i bëjë thirrje qeverisë që sa më parë të miratojnë ligjin për paga dhe në kërkesat e sindikalisteve të merren në konsiderate. Është koha për unitet e jo përqarje”- shtoi ai.

Greva në sistemin arsimor ka hyrë në javën e pestë. Ndonëse ka pasur shumë takime e përpjekje, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës dhe Qeveria nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje.

Java e pestë e grevës, SBASHK-u thotë se do të bisedojnë me anëtarësinë për hapat që do të ndërmarrin nëse Qeveria nuk reflekton