Myanmar shënon përvjetorin e dytë të përmbysjes së qeverisë nga junta ushtarake

Mbështetësit e lëvizjes pro-demokratike të Mianmarit po angazhohen në një bojkot mbarëkombëtar të të gjitha aktiviteteve ekonomike të mërkurën për ta shënuar dyvjetorin e përmbysjes së qeverisë civile nga ushtria.

Udhëheqësit u kërkuan tregtarëve t’i mbyllin dyqanet e tyre dhe banorëve të qëndrojnë në shtëpi si pjesë e një “grevë të heshtur” kundër juntës ushtarake për rrëzimin e Aung San Suu Kyi-t më 1 shkurt të vitit 2021 dhe qeverisë së saj të zgjedhur në mënyrë demokratike. Fotot e postuara në mediat sociale shfaqin rrugët e Yangon, kryeqyteti tregtar i Mianmarit, kryesisht të braktisura.

Partia Lidhja Kombëtare për Demokracinë e Suu Kyi-t fitoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2020 ndaj Partisë Bashkimi Solidariteti dhe Zhvillimi të mbështetur nga ushtria. Junta pretendon mashtrim të gjerë zgjedhor në zgjedhje si arsyen e saj për rrëzimin e qeverisë civile dhe zhvlerësimin e rezultateve. Komisioni civil zgjedhor i mohoi akuzat përpara se të shpërbëhej.

Grushtshteti në Mianmar çoi menjëherë në demonstrata anti-junta në të gjithë vendin duke rezultuar me vdekjen e më shumë se 2,900 civilëve dhe më shumë se 18,000 të arrestuar nga ushtria, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, një grup i pavarur monitorues. Trazirat kanë evoluar gjithashtu në një konflikt vdekjeprurës rural midis ushtrisë dhe forcave të armatosura të ndihmuara nga disa grupe rebele etnike që kanë luftuar për dekada për një autonomi më të madhe.

Ligjvënësit e zgjedhur që u ndaluan t’i merrnin ulëset e tyre pas grushtit të shtetit të vitit 2021, kanë formuar një qeveri në hije, Qeverinë e Unitetit Kombëtar, e cila ka bërë thirrje për një kryengritje kombëtare kundër juntës. Suu Kyi, e cila udhëhoqi qeverinë civile si këshilltare shtetërore, po vuan dënimin prej 33 vjet pas dënimit të saj në një seri gjyqesh për disa akuza penale të ngritura kundër saj nga ushtria.

Junta pritet ta bëjë njoftimin të mërkurën nëse do të zgjasë apo jo një gjendje të jashtëzakonshme ose do të vazhdojë me planet për të mbajtur zgjedhje të përgjithshme këtë vit, të cilat aktivistët tashmë i kanë denoncuar si mashtrim.

Shtetet e Bashkuara, Australia, Britania dhe Kanadaja njoftuan një grup të ri sanksionesh kundër juntës së Mianmarit në prag të përvjetorit të së mërkurës, duke përfshirë komisionin zgjedhor të miratuar nga ushtria e vendit dhe korporatat e mbështetura nga ushtria.

Sanksionet më të rëndësishme u vendosën nga Britania dhe Kanadaja kundër kompanive që e kanë furnizuar juntën me karburant aviacioni për të kryer sulme ajrore kundër forcave pro-demokracisë dhe aleatëve të tyre rebelë etnikë në fshatrat e Mianmarit./VoA

Përgatiti: Nuhi Shala