Muzeu Virtual i Refugjatëve. FOTO-YIHR

Muzeu Virtual i Refugjatëve sjell traumat e refugjatëve

Ekspozita virtuale nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut tregon përvojat dhe vuajtjet e refugjatëve të luftës së fundit në Kosovë.

Me më shumë se 20 intervista të përcjellura me zëra të të mbijetuarëve, organizata Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut , YIHR ka mbledhur në një muze virtual përjetimet e luftës së fundit në Kosovë.

Organizata për të drejtat e njeriut, fuqizimin e të rinjëve dhe ballafaqimin me të kaluarën YIHR, ka realizuar ‘Muzeun Virtual të Refugjatëve me slloganin “E ardhmja nisë t’u e njoftë të kalumen” që ka si simbolikë vuajtjet e civilëve nga të gjitha grupet etnike gjatë luftës.

 Bjeshkë Guri nga YIHR, tha se arsyeja e realizimit të muzeut është dokumentimi e memorializimi i përvojave të refugjatëve.

Sipas Gurit, menjëherë pas luftës është forcuar militarizimi i kujtesës kolektive me memoriale të ndryshme vetëm për luftërarë por ka munguar memorializimi i luftës duke përfshirë përvojat e civilëve.

Guri thotë se gjeneza e muzeut ka qenë krijimi i diçkaje që të ballafaqon me të kaluarën.

Ndërsa, qëllimi i muzeut është rritja e empatisë mes njerëzve për atë çka ka ndodhur në Kosovë.

“Ne nuk flasim për pasojat e luftës. Në intervistat me të mbijetuarit e masakrave ata thonin se gjithçka që dëshirojnë është të ju njihet vuajtja  e tyre, sepse nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga dora e shtetit” tregoi Guri.

Në ekspozitë janë të shfaqura intervistat e refugjatëve si histori verbale me audio dhe janë të përkthyera në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

 Gjatë luftës në Kosovë, afër 1 milionë shqiptarë të Kosovës janë larguar nga Kosova dhe kanë qëndruar refugjatë kryesisht në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Pas qershorit, mijëra serb, dhe pjesëtarë te komuniteteve tjera si rom, ashkali dhe egjiptian kanë ikur nga Kosova.

FOTO- YIHR

Secila fotografi bardh e zi mban në vete nga një rrëfim në formatin e rrëfenjave  të popullatës civile nga zonat e ndryshme të Kosovës, e kryesisht këto rrëfime janë nga vendbanimet rurale.

Kurse për koleksionimin e të dhënave e rrëfimeve, Guri tha se kanë marrë  qytetarë nga vendbanime të ndryshme në Kosovë përmes thirrjes së hapur dhe rekomandimeve.

Në mesin e refugjatëve përpos rrëfimeve të shqiptarëve ka edhe rrëfime të komuniteteve tjera si serb, rom, ashkali dhe egjiptian.

Megjithë vështirësitë, Guri tha se qëllimi i tyre është që të marrin rrëfime nga të gjitha komunitetet edhe pse kanë hasur probleme që të gjejnë persona nga komuniteti serb për shkak të hezitimit të tyre.

 “Kemi tentuar të marrim rrëfime prej komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Kanë qenë ma rezistentë duke u bazuar në dinamikat që janë krijuar që nga paslufta pasi që komunitetet janë konsideruar si neutral dhe janë paragjykuar kinse janë me serb, gjë që nuk është e vërtetë” tha Guri.

Sipas saj, ata i kanë demantuar këto paragjykime me rrëfimet e tyre traumatizuese dhe se gjatë  intervistave, Mersie (ish refugjate) nuk mundet të qëndrojë vet në shtëpi aq që është e traumatizuar nga bombardimet sa që i pengojnë edhe krismat.

Për kurimin e muzeut Guri tha se e kanë realizuar vet duke filluar nga intervistimi, mbikqyrja e web dizajnit dhe dizajnimin e website.

 Ajo tha qe YIHR nuk do të ndalet me kaq dhe që përpos këtij Muzeu do të vazhdojnë edhe me një tjetër që do ia kushtojnë fëmijëve të luftës duke koleksionuar gjëra të luftës duke filluar nga lodrat e gjësendet tjera.

Ky projekt implementohet nga YIHR KS dhe mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED).