Muzeu i përuruar me gabime drejtshkrimore, Komunës së Prizrenit i kushtoi mbi 67 mijë euro

Muzeu i Dëshmorëve, që u përurua me gabime drejtshkrimore gjatë vikendit në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit, kësaj të fundit i ka kushtuar 67 mijë e 531 euro.

Për përgatitjen e tij, Komunës së Prizrenit i është dashur më shumë se një vit kohë, ndërsa kanë qenë të angazhuara dy kompani.

Sipas një përgjigje me shkrim dhënë nga Drejtoria e Turizmit, që është financuese, në këtë projekt janë bërë dy investime.

“Investimi i parë është ‘Rregullimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Landovicë’, që ka koston e 44 mijë e 581 eurove, ndërsa kompania e angazhuar është ‘Alboss’. Investimi i dytë është ‘Organizimi i ekspozitës në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Landovicë, që ka koston 22 mijë e 950 euro dhe kompania ‘Sfinga’ ka qenë e angazhuar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit për KALLXO.com.

Investimi i parë, sipas Komunës, është kryer për 8 muaj, kurse investimi i dytë për 6 muaj.

Të shtunën me 12 qershor, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, bëri të ditur se është hapur Muzeu i Dëshmorëve në fshatin Landovicë, duke u krenuar se është i pari i këtij lloji në Kosovë.

Por që ky Muze u përurua me gabime të theksuara drejtshkrimore, në mbishkrimin në hyrje të Muzeut.

Aty, siç mund të shihet edhe në foton e artikullit, është shkruar ‘Muzeu i Dëshmoreve’, dhe në vend të shkronjës (ë) që do të duhej të ishte menjëherë pas shkronjës (r), kishin shkruar shkronjën (e).

Por për t’mos mjaftuar ky gabim, një ditë pas publikimit të fotografive nga Haskuka, KALLXO.com ka vërejtur se në fotografinë e njëjtë është intervenuar me fotoshop për të vendosur pikat mbi (e), në mënyrë që shkronja (e) të bëhet (ë) dhe fjala “Dëshmoreve” të bëhet “Dëshmorëve”.

Intervenimi në fotografi është bërë edhe te fjala në gjuhën angleze. Fjala “Martys” është përmirësuar dhe është bërë “Martyrs”.

Por, më pas, me 13 qershor kryetari Mytaher Haskuka ka njoftuar se gabimet drejtshkrimore në emërtimin e “Muzeut të Dëshmorëve”, janë përmirësuar gjatë ditës.

 

Haskuka tregon se dje gjatë ditës janë përmirësuar gabimet drejtshkrimore në emërtimin e “Muzeut të Dëshmorëve”