Muzeu i Kosovës pasurohet me “Veshjen e Rrafshit të Dukagjinit” të para 6 dekadave

Muzeut të Kosovës sot i është dhuruar “Veshja e Rrafshit të Dukagjinit”, veshje kombëtare e njohur si “Vesha e katunit”, punuar nga Zejnepe Demaj-Beqiraj.

Veshja është punë dore e punuar në tërësi me kërrabëz dhe gjilpërë, e cila është punuar në vitet 1965-66 të shekullit 20, kur autorja e kësaj veshjeje ishte 21 vjeçe, njofton Ministria e Kulturës.

Sipas njoftimit veshjen, ministres së Kulturës, Vlora Dumoshit ia dorëzoi e bija e autores, Gjylshahe Beqiraj.

“Ne si ministri në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës do të kujdesemi për veshjen në fjalë që ajo të ketë hapësirën e përshtatshme për ekspozim ashtu që të prezantojë kulturën tonë, punën e nënave tona”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Zejnepe Demaj-Beqiraj ka lindur me 25 qershor 1945, në Radavc të Pejës. Në vitin 1965-1966 ishte gati 21 vjeçe, e fejuar në fshatin Staradran të Istogut dhe bëhej gati për martese. Në këtë periudhë e ka punuar këtë veshje kombëtare, e njohur si “Veshja e Rrafshit te Dukagjinit”.