Mustafa: VV t'i lexojë qartë rezultatet e zgjedhjeve
I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një manifestim të mbajtur sot për të shënuar 30 vjetorin e themelimit të partisë, ka folur për bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje.
Mustafa në këtë manifestim tha se LDK ka treguar vullnet që të qeverisë me VV-në dhe të ndajë përgjegjësitë për drejtimi e shtetit.
“LDK po bën përpjekje për të arritur marrëveshje me Vetëvendosjen që i siguron Kosovës qeverisje stabile për katër vite. Në përpjekjet tona, jemi të vetëdijshëm për dallimet ideologjike dhe kulturën politike, por duke respektuar vullnetin qytetar po bëjmë përpjekje të gjejmë rrugë për bashkëqeverisje”, ka thënë Mustafa.
Ai tutje ka thënë se qeverisja e LDK-së së bashku me Vetëvendosjen është që të ndajnë përgjegjësitë, dhe të sigurojë një bilanc të domosdoshëm të pushtetit në mënyrë që ti kontribuojë demokracisë së vendit.
Sipas Mustafës, presioni publik dhe mediatik, në këtë periudhë është i panevojshëm.
“Më së paku kemi nevojë për presion publik e mediatik në këtë kohë të marrëveshjes. Ne kemi dëshirë që pa këtë presion dhe pa fushatë kundër LDK të bëjmë një koalicion meritor”, ka thënë Mustafa.
Mustafa po ashtu në këtë manifestim ka thënë se LDK ka lexuar të gjitha rezultat e zgjedhjeve, dhe ka sugjeruar edhe VV-në që “t’i lexojë qartë këto rezultate”, dhe të ndajnë përgjegjësitë në mënyrë të barabartë.
Mustafa tutje ka folur edhe për lajmet për përqarje brenda partisë.
“Në kuvendin e fundit të LDK-së dolëm të bashkuar dhe unik, dëshmuar përkushtimin për LDK- në dhe për Kosovën, demantuam lajmet se LDK do të ndahet, vërtetuam se LDK është arti i të gjitha gjeneratave, me të cilën askush nuk duhet të pres se mund të zhduket ndonjë gjeneratë”, ka thënë Mustafa
Lidhje Demokratike e Kosovës, përmes një manifestimi të mbajtur sot ka shënuar 30 vjetorin e themelimit të partisë.