Arkiv

Mustafa vizitoi ish-krerët e UÇK-së në Hagë: I gjeta të bindur në pafajësinë e tyre

Ish krerët e UÇK-së në Hagë në fillim të kësaj jave patën edhe një vizitë nga Kosova. Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa njoftoi se ai vizitoi Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Mustafa përmes një postimi në Facebook vlerësoi kontributin e tyre në luftë, pranoi se mund të mos ketë pasur pajtime me ta pas luftës, por sipas tij nuk mund të mohohet trimëria e tyre në lutë.

“Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes , por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia!”, tha ai.

Ndërsa po ashtu tregoi se aktualisht ata janë të bindur në pafajësinë e tyre edhe për këtë Mustafa u shpreh i lumtur.

“Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën.”, deklaroi ai.

Ndryshe, tashmë janë bërë dy vjet prej arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa ende nuk ka filluar procesi gjyqësor ndaj tyre./21Media