Mustafa: Thaçi më ka telefonuar pasi kam kërkuar gjendje të jashtëzakonshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në asnjë rast nuk ka pasur as komunikim, as takim me presidentin Thaçi para se ta publikojë postimin e tij lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme.

Mustafa në Klan Kosova deklaroi se presidenti e ka thirrur pas kësaj.

“Pasi e kam bërë statusin në Facebook më ka thirrë presidenti dhe më ka thënë: Përse po kërkoni Gjendje të Jashtëzakonshme dhe po na kritikoni që ne s’po koordinohemi? Unë i thashë se nuk duhet ta kuptoni këtë se unë në emër të LDK-së po i kritikoj institucionet, por po kërkoj angazhim që të bashkëpunohet në këtë periudhë”, tha Mustafa.

“Statusi im më pak i kushtohet gjendjes së jashtëzakonshme e me shumë i kushtohet bashkëpunimit të institucioneve më të larta të vendit”, tha ai.

Mustafa tha se thirrjet e presidentit për mosrespektimin e vendimin të Qeverisë për ndalim-qarkullimin i sheh si thirrje për respektim të Kushtetutës dhe institucioneve.

Sipas tij, ka pasur vendime të shpejta nga Qeveria, pasi që presidenti nuk e merr asnjë kompetencë të Qeverisë në masa të jashtëzakonshme.

“Unë me sa e kam vërejtur atë natë kanë qenë disa vendime të shpejta dhe të pakontrolluara të Qeverisë dhe të kryeministri. Kjo nuk është kompetencë e Qeverisë, ndryshe do të futeshim në një proces në të cilin një organ uzurpon kompetencat e organit tjetër. Asnjë fuqi nuk e merr presidenti aty. Presidenti nuk e merr asnjë kompetencë të Qeverisë në masa të jashtëzakonshme, i merr kompetencat më të forta në FSK, pastaj e drejton Këshillin për Siguri, por Qeveria vazhdon t’i bëjë punët e veta”, tha kryetari i LDK-së.