Mustafa takon Ambasadorin Amerikan, asnjë fjalë për media

Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka pritur në takim Ambasadorin amerikan Philip Kosnett.

Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe asnjëra palë nuk ka pranuar të deklarohet për media.

Përmes një komunikate LDK tha se në takim me Ambasadorin Kosnett u diskutuan tema të rëndësishme për vendin, me theks të veçantë zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe situata aktuale politike.

“Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë. LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj.” thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas njoftimit të LDK-së  Ambasadori Kosnett theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Vlora Dumoshi dhe Besian Mustafa.