Mustafa: Shpejtim Bulliqi, fajtori kryesor për mosliberalizim të vizave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka fajësuar kryetarin e sapozgjedhur të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, për mosliberalizim të vizave, pasi që në kohën kur ky i fundit ishte deputet i LDK-së nuk e votoi demarkacionin me Malin e Zi.

“Edhe Bulliqi edhe disa që janë akoma në LDK edhe disa që janë me një këmbë në LDK dhe me tjetër jashtë. Nuk po përmendi emra. Mirëpo ata janë deklaru atëherë kundër, sepse po votonin deputetët tanë, ne kalonin demarkacionin dhe merrshim liberalizimin e vizave… Unë sa për znj. Osmani nuk mund të them sepse nuk e ka drejtu atëherë këtë proces, por e ka përkrah Bulliqin dhe më ka kritiku mu. Mirëpo, sa i përket Shpejtim Bulliqit, ai është një prej fajtorëve kryesorë që nuk është arrit liberalizimi i vizave”, ka thënë Mustafa në emisionin “Rubikon” të Klan Kosova.

Ai kujtoi se asokohe zëvendëspresidenti i ShBA-ve, Joe Biden, i kishte kërkuar atij si kryeministër që të votohet demarkacioni sepse siç thotë ai, ShBA-të ishin të bindur për vendosjen e kufirit.

“Po të kishte lëvizë kufiri në bazë në faktimeve të z.Bulliqi unë do të kërkojsha falje që kemi bë një gabim. Ne e kemi pasë përfaqësuesin ndërkombëtar, dhe tashmë presidentin e ardhshëm Joe Biden, i cili erdhi në Kosovë dhe kërkoi nga ne ta votojmë demarkacionin, sepse më tha se unë këtu i flas fjalët e SHBA-ve, dhe ato që më thotë Obama”, u shpreh Mustafa.

Në zgjedhjet e mbajtura këtë të diel në Podujevë, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi në komunën që për vite më radhë ka qenë bastion i LDK-së.