Mustafa: Qeverinë mund ta bëjë edhe partia e dytë, kështu ka deklaruar edhe vet Kurti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa ka deklaruar se qeverinë mund ta formojë secila parti që siguron shumicën.

Sipas tij edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka dhënë një interpretim të tillë kur ka deklaruar se ‘i pari nuk është mbret’.

“Është e qartë se Gjykata Kushtetuese ka thënë se qeverinë mund ta bëjë edhe partia e dytë, e tretë, apo e katërt, çdo subjekt i cili mund ta siguroj shumicën në Kuvend. Kështu e ka interpretuar edhe Z, Kurti në vitin 2014, ai ka thënë se kushdo që del i pari nuk është mbret, nuk është ai sovrani i cili nuk mund ti lëshoj rrugë askujt”, tha Mustafa për TV21.

Duke ju referuar mos përgjigjes së Lëvizjes Vetëvendosje në 5 letrat e presidentit Thaçi, Mustafa ka thënë që kjo tregon se partia e Albin Kurtit nuk është e interesuar ta bëjë qeverinë.

“Askush nuk mund ta shfrytëzojë një afat kohorë pa kufi. Sepse megjithatë duhet të ekzistojë një kufi që partia që ka dalë e para, të reflektojë dhe ta jep kandidatin për kryeministër. Fakti që partia e parë abstenon ose në një formë heq dorë për ta dorëzuar mandatarin fletë se ajo parti nuk është e interesuar ta bëjë qeverinë”, tha ai.

Sipas Mustafës Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e saj në mënyrë që vendi të ecë tutje.

“Nuk mund të mbetet vendi me qeveri në detyrë ose vendi pa qeveri. Gjykata Kushtetuese duhet ta japë një përgjigje, sepse kjo ndihmon në praktikën e ardhshme me të cilën ne do të ballafaqohemi”, tha ai.

Ndërsa i pyetur se nëse pa partinë fituese ‘kontrabandohet’ zgjedhja e qytetarëve, Mustafa ka thënë se ‘qytetari nuk vendos kush do të qeverisë’.

“Vota e qytetarit vendos për deputetët dhe cila parti do të ketë më shumë deputetë ose më pak, por qytetari nuk vendos se kush do ta qeverisë vendin.  Në zgjedhjet e përgjithshme votohet për qeverinë por për parlamentin  E pastaj, Kuvendi e zgjedh qeverinë, kjo do të thotë se një shumicë duhet ta bëjë shumicën parlamentare. Nuk shkelet demokracia kështu, por respektohet vota e qytetarëve, ku është arsyeja që i pari ta bllokoj procesin dhe qeverinë” përfundoi Mustafa.

Më 25 mars përmes një mocioni të iniciuar nga LDK, ka rënë qeveria Kurti pjesë e së cilës ishte edhe partia e Isa Mustafës.

Presidenti Thaçi i ka dërguar 5 letra LVV-së duke ia kërkuar emrin e mandatarit, mirëpo LVV nuk i është përgjigjur kërkesës së Thaçit për mandatar, por ka kërkuar sqarime shtesë.

Ndërsa pas këtyre ‘refuzimeve’ presidenti Thaçi ia ka dhënë mandatin LDK-së për formimin e qeverisë, e cila së bashku me AAK, Nisma, LS kanë deklaruar se kanë shumicën.

Për këtë, LVV i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese e cila pak dit më vonë ka vendosur masë të përkohshme deri më 29 maj, ndaj dekretit të presidentit Thaçi.