Mustafa: Qeveria qysh në pranverë ishte e njoftuar se çmimi i energjisë elektrike do të rritet
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media lidhur me mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Në këtë konferencë për media në emër të LDK-së ka folur deputeti Besian Mustafa.
Mustafa ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe për projektin amerikan që sipas tij Qeveria e Kosovës e ka refuzuar.
“Qeveria ka refuzuar një grant 200 milionë dollarë nga MCC-ja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për termocentralin me gaz që do të shërbente për prodhimin më të lartë të energjisë elektrike dhe çmime me të ulëta në tregun vendor”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa tha se rritja e çmimit të energjisë nuk është për faj të ZRrE-së, por Qeveria është fajtore për shkak të mosveprimeve ndaj kësaj problematike.
Po ashtu Mustafa ka thënë se shtrenjtimi i energjisë dëmton edhe prodhimin vendor.
“Shtrenjtimi i energjisë dëmton edhe prodhimin vendor. Me mosveprimet e Qeverisë do të dëmtohet rëndë ekonomia, prodhimi vendor dhe vendet e punës. Më e keqja e gjithë kësaj është se Qeveria nuk ka zgjidhje”, ka thënë deputeti Mustafa.
Mustafa është shprehur se Qeveria e Kosovës qysh më herët ishte e njoftuar për mundësinë e shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Çmimet e faturës që pritet të ngriten do t’iu vështirësojnë edhe më shumë jetën qytetarëve. Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverë për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Mustafa.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.
Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.
Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).
Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.