Mustafa: Qeveria Kurti po i jep pak rëndësi temës së rritjes së çmimeve
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa gjatë senacës plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se qeveria Kurti po i jep pak rëndësi temës së rritjes së çmimeve.
Sipas tij këtë fakt e dëshmon dalja e Kryeministrit Albin Kurti nga salla e kuvendit gjatë kohës kur kjo temë po diskutohej.
“Fakti që kryeministri i vendit del nga salla e Kuvendit kur fillojmë të debatojmë për rritjen e çmimeve tregon se sa pak rëndësi i jep kjo qeveri kësaj teme që për qytetarët e Kosovës rëndon kuletën e tyre”, ka thënë Mustafa.
Tutje ai pati dhe një replikë për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.
“Zotëri Muja, 300 mijë qytetarë kanë qenë në skema të asistencës sociale me vite të tëra, nuk është se është rritë, por edhe nëse është rrit ky është lajm i keq pasi më shumë qytetarë kanë nevojë për asistencë sociale”, u shpreh deputeti i LDK-së.
Tutje ai shtoi se rritja e çmimeve nuk mund të neutralizohet me 10 eurot që qeveria Kurti i ndanë për fëmijët.
“Sa i përket asistencës sociale prej 10 eurove në muaj për fëmijë, besoj që nuk ka ekonomist në këtë vend ose në botë që beson që 10 euro në muaj neutralizojnë të gjithë rritjen e çmimeve”, tha Mustafa.
I njëjti po ashtu shtoi se pjesë e kësaj qeverie eshtë një ministre që thotë se ata [qeveria Hoti] kanë gabuar që e kanë ulë çmimin e energjisë elektrike, ndërsa “kjo qeveri qenka hero që e ka rrit çmimin e energjisë elektrike”.
“Nuk besoj që në 10 milionë shqiptarë anë e mbanë botës është një budalla që e përbinë këtë ofendim të inteligjencës që i bën kjo qeveri”, tha ndër të tjera Mustafa.