Isa Mustafa për rritjen e rasteve me COVID-19: Të mos bëjmë luftë politike me pandeminë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa është shprehur i shqetësuar me rritjen e numrit të rasteve të COVID-19 sot në Kosovë.

“Më brengosi sot numri i të infektuarave prej 276 me Covid-19. E përjetova këto ditë Covidin dhe e shoh për obligim të apeloj për kujdes maksimal. Është një sëmundje atipike, që s’ka rregulla dhe standarde shërimi”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Kreu i LDK-së ka kërkuar që të hiqet dorë nga ahengjet dhe grumbullimet në mënyrë që të të pengohet shpërndarja e virusit.

“Të heqim dorë nga ahengjet, dasmat në masë, lëvizjet për pushime e rekreacion, protestat e tubimet, sepse po e shtojmë rrezikun e përhapjes së virusit”, ka shkruar.

Mustafa ka theksuar se policia dhe institucionet nuk mund të bëjnë asgjë nëse qytetarët nuk i respektojnë rregullat.

“Mos të presim që Qeveria, Ministria e shëndetësisë, institucionet Shëndetësisë, policia, inspektorët mund të na mbrojnë nga kjo pandemi, në qoftëse nuk respektojmë rend dhe rregulla. As vendet më të fuqishme nuk po e arrijmë këtë. Ne duhet të bëhemi policë të vetëvetes, mjekë të vetëvetes”, ka theksuar.

I pari i LDK-së ka thënë që sfida e tij me pandeminë COVID-19 nuk ka qenë e lehtë, por ka respektuar rregullat.

“Mund të mbrohemi vet, nëse tregojmë kujdes dhe respektojmë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe rregullat e Qeverisë. Unë u trajtova në shtëpi, respektova dhe po respektoj në mënyre absolute rekomandimet dhe udhëzimet e mjekëve tanë. Nuk ishte e lehtë”, ka thënë ai.

“Është kjo luftë për të shpëtuar jetën tonë dhe të tjerëve. Duhet gjithë ne të vetëdijesohemi se nëse nuk e marrim seriozisht këtë pandemi atëherë neglizhojmë jetën tonë dhe të atyre me të cilët komunikojmë”, ka vazhduar ai.

Mustafa ka kërkuar që të mos bëhet luftë politike me pandeminë COVID-19.

“Apeloj qe institucionet shëndetësore të japin sa më shumë informata për qytetarët, që mediat ta kenë prioritet absolut mbrojtjen nga Covid-19 dhe që gjithë ne të mos bëjmë luftë politike por të ndërtojmë kulturë dhe ndërgjegje të respektimit të masave”, ka theksuar ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot nga 404 mostra të marra, 276 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

IKSHP-ja ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend kanë vdekur tetë persona të infektuar me coronavirus duke shkuar në 185 numri i vdekjeve në vend, të cilët kanë pasur edhe  sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërsa janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.027 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.201

 

Rekord i ri me raste pozitive me COVID-19 në Kosovë