Mustafa: Për presidentin duhet marrëveshje ose shkojmë në zgjedhje

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë që për zgjedhjen e presidentit të vendit duhet të ketë një marrëveshje të gjerë dhe nëse ajo nuk arrihet duhet të shkohet në zgjedhje.

“Është mirë që te kemi një marrëveshje të gjerë e cila siguron pjesëmarrjen e diku 80 deputetëve  në procesin e zgjedhjes së presidentit. Nëse nuk gjejmë zgjidhje, atëherë zgjidhja tjetër sigurisht janë zgjedhjet”, theksoi ai.

Duke iu referuar deklarimit të tij ditë më parë se posti i presidentit i takon PDK-së,  Mustafa sqaroi se nuk e ka thënë këtë në mënyrë eksplicite, por ka folur vetëm për parime dhe numrin deputetëve në Kuvend.

“Nuk e di, nuk mundem me u shpreh sot. Duhet me qenë vendim i LDK-së, nuk është vendim individual. Por ne akoma nuk kemi një vendim të PDK-së që do të japin kandidatin për president të vendit. Pas nesh është partia e tretë me radhë për nga numri i deputetëve. Por në pikëpamje të presidentit është çështje e tyre, por edhe e jona që të diskutojmë. Ajo që ka dalë në media se presidenti i takon PDK-së, unë nuk e kam thënë këtë në mënyrë eksplicite, por kam folur vetëm për parime dhe numrin deputetëve në Kuvend”, tha ai pas takimit me grupin parlamentar .

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën ndaj tij, këtë detyrë po e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Deri më tani për këtë pozitë kandidaturën e tij e ka shpallur ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është edhe partneri i koalicionit qeverisës me LDK-në.