Mustafa për aktvendimin se Qeveria shkeli Kushtetutën: Nuk do ta ulë veten në nivelin e Kurtit

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa është deklaruar lidhur me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkelje të neneve të Kushtetutës, nga ana e qeverisë së vendit, me rastin e kufizimit të qarkullimit të qytetarëve për shkak të coronavirusit.

Mustafa sot u pyet nga gazetarët se si do t’i përgjigjej kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, i cili më herët Mustafën e kishte quajtur “kriminel”, lidhur me Asociacionin të Komunave me shumicë serbe, kur ky i fundit ishte në krye të qeverisë.

Kreu i LDK-së ka thënë se nuk do ta ulë veten në atë nivel.

“Tash me nis unë me ia kthy zotit Kurti krejt çka ka thanë ai për mua, do ta ulësha krejtësisht nivelin edhe timin edhe subjektit politik që e përfaqësoj. Ajo që është përpara për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk është dhënë si shkelje kushtetuese por vetëm se nuk është krejt ajo në harmoni në disa pjesë me frymën kushteutese, atëherë s’ka asur shkelje”, tha ai.

Mustafa shtoi se tash ka një aktgjykim që thotë drejtpërdrejt se janë shkel nene të Kushtetutës që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut, e që sipas tij, kjo nënkupton se është shkelje e rëndë.

“Unë tani nuk po cilësoj se a është dikush aty kriminel a super-kriminel a më pak kriminel. Por të gjithë ne kemi bërë vërejtje ditën që qeveria e ka pru atë vendim se një vendim i tillë duhet të sjellet nga deputetët e Kuvendit”, u shpreh Mustafa pas takimit me presidentin Thaçi.

Sipas tij, qeveria duhet t’i kërkojë falje qytetarëve që ju ka sjell atyre kufizime jo-kushtetuese.

“Po ashtu të merr  mend se edhe sa është qeveri në detyrë të mos merr vendime të tilla në kundërshtim me Kushtetutën dhe veprimet e pushtetit pa kufij që dëshirojnë ata ta ushtrojnë në Kosovë”, tha Mustafa.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në lidhje me kërkesën e Presidentit për vlerësimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vendimi i Qeverisë i marrë me 23 mars 2020 nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës me datë 23 mars 2020 kishte vendosur që të kufizojë lirinë e levizjës së qytetarëve gjatë orëve 10:00 – 16:00 dhe 20:00 – 06:00.

Kundër këtij vendimi kishte dalë Presidenti i Kosovës i cili e kishte cilësuar këtë vendim në kundërshtim me Kushtetutën dhe ndaj tij kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë së është befasuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideroi jokushtetues vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes.

Kurse, masat kufizuese të lirisë së lëvizjes së qytetarëve do të mbesin në fuqi deri më 13 prill 2020.

Kështu e ka paraparë Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin me të cilin i shpalli të pavlefshme kufizimet e vendosura nga Qeveria.