Mustafa pas takimit me Thaçin: LDK nuk është për zgjedhje, por për qeveri të re

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa pas takimit konsultativ me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se partia e tij vlerëson se nuk është koha për shkuarje në zgjedhje, pas rrëzimit të qeverisë Kurti me 25 mars.

Mustafa shtoi se ata janë që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese.

Diskutuam për daljen nga kjo situatë pas votimit nga deputetët të mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë Kurti. U fol nga presidenti për opsionet kushtetuese që ekzistojnë për të dalë nga kjo situatë. Si LDK vlerësojmë se nuk është koha të shkojmë në zgjedhje për shkak të pandemisë së coronavirusit”, tha ai.

Kreu i LDK-së shtoi se janë të bindur se zgjedhjet nuk do të sjellin ndonjë situatë të re.

“Jemi të bindur që zgjedhjet në këtë periudhë nuk do të na sjellin në ndonjë situatë tjetër duke pasur parasysh vullnetin politik të subjekteve që hyn dhe dalin në zgjedhje dhe duke pasur parasysh se mocionin e kanë votuar 82 deputetë”, tha ai.

Mustafa ka theksuar se  qeveria e re do të kishte detyrë që me kapacitete të plota të angazhohet në luftën kundër coronavirusit, të punohet drejt zhvillimit ekonomik dhe të angazhohet në dialogun me Serbinë.

Mustafa shtoi se me presidentin nuk kanë biseduar për emra.

“Sot s’kemi biseduar fare për emër por vetëm për vullnetin politik. Unë besoj se presidenti do ti ndjek të gjitha procedurat sepse ne nuk do të hyjmë në një proces që nuk është kushtetues”, tha ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi  të mërkurën ka nisur takimet konsultative me liderë e partive politike parlamentare, si përpjekje për formimin e qeverisë së re, pas rrëzimit të ekzekutivit të Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës me 25 mars.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës  – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga CoVid-19.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se presidenti duhet të mendojë rreth datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke kundërshtuar formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.