Mustafa: Nuk u nxituam me mocion, e kisha paralajmëruar Kurtin

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, nuk e ka quajtur të nxituar inicimin e mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Mustafa në Klan Kosova deklaroi se LDK-ja e kishte paralajmëruar edhe më parë Kurtin se duhet ta heqë tarifën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës-Hercegovinës, ashtu siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara pa reciprocitet.

“Nuk u nxituam fare, sepse unë e kisha paralajmëruar qysh më herët Kurtin që tarifa duhet të hiqet pa kushte dhe çështja e reciprocitetit duhet të merret vesh në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në. Deri në ditën e premte nuk kishim asnjë përgjigje nga Kurti. Pasi që e dorëzuam mocionin, Kurti doli me propozim që të hiqet tarifa dhe të hiqet pjesërisht, vetëm për lëndën e parë. Ishte edhe i vonshëm dhe në kundërshtim me atë që kërkonin aleatët tanë dhe me atë qe ne kërkonim nga partneri ynë qeverisës”, tha Mustafa.

Më 25 mars në Kuvendin e Kosovës është votuar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.