Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Mustafa: Nuk ka preferenca për kryetar të LDK-së as kandidatura zyrtare

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, foli para mediave pas takimit që ishte duke u mbajtur me zyrtarët e partisë në lidhje me zgjedhjet të cilat priten të mbahen më 14 mars e ku do të votohet për kryetarin e ardhshëm të këtij subjekti politik.

I pyetur në lidhje me preferencat për ndonjë kandidat të veçantë, ai tha se nuk ka një gjë të tillë.

“Nuk ka preferenca. Me çfarë të drejte i jap preferenca një kandidati. Nuk kemi pikëpamje të tilla. Preferenca ime është që në krye të LDK të vijë një njeri që mbron vlerat e LDK-së që dërgon LDK-në përpara”, tha Mustafa.

Ai shtoi se takimi i sotëm ishte më shumë përgatitje për kuvendin e LDK-së më 14 mars.

“Pata takimin me kryetarët e degëve të LDK-së, diskutimi ishte për përgatitjet për kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së. Kuvendi do të mbahet më 14 mars. Nga kryetarët e degëve është kërkuar që të organizohen në mënyrë që të gjithë delegatët që janë nga degët, sepse degët dërgojnë delegatët e kuvendit ata që janë zgjedhur në kuvendin e kaluar zgjedhor sepse ky kuvend nuk është për zgjedhje të përgjithshme dhe presim të përmbyllim këtë çështje”, shtoi ai.

Tutje Mustafa tha se nuk ka kandidatura zyrtare ndërsa ato do të zyrtarizohen në kuvendin e LDK-së që do të mbahet gjatë këtij muaji.

“Nuk është diskutuar në asnjë rast sepse nuk ka qenë qëllimi që të diskutojmë për çështjen e kandidatëve. Ata kanë të drejtë që edhe ditën e që mbahet kuvendi të propozohen nga komisioni kandidues dhe ne nuk dëshirojmë fare që të interferohemi te emrat. Unë jam i interesuar që të mbahet kuvendi në mënyrë të rregullt, që të zbatohet statuti i LDK-së dhe kryetari  të zgjidhet nga delegatët dhe jo nga ndikimet e tjera. Nuk ka kandidatura zyrtare, ato jepen në kuvend. Kandidaturat i presim në kuvend”, shtoi tutje Mustafa.

Ai nuk komentoi suksesin e ish-bashkëpartiakes Vjosa Osmani, e cila doli më e votuara në zgjedhjet e fundit.

“Nuk komentoj fitoret individuale, është çështje e qytetarëve të cilët kanë votuar dhe unë e respektoj votën, çdo votë jo vetëm për Vjosën. Jemi shprehur se i pranojmë edhe rezultatet e zgjedhjeve”, shtoi në fund Mustafa.

Disa ditë pas zgjedhjeve që u mbajtën në Kosovë, që rezultuan me rënie drastike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa paralajmëroi dorëheqjen nga posti i kryetarit të LDK-së.