Mustafa nuk i beson raportit të UNDP-së rreth kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Qeverisë Kurti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se pas sugjerimit të ambasadorit gjerman Christian Heldt për leximin e raportit të UNDP-së për kënaqshmërinë e qytetarëve me punën e institucioneve të vendit, është shprehur i habitur me gjetjet e këtij raporti.

“U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat , sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet. E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kreu i LDK-së ka hedhur dyshimet e tij për kredibilitetin e këtij raporti duke i cilësuar si ‘simpati personale’

“Nuk besoj se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët. Nuk besoj, poashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarave me telefon nga UNDP për punën e mirë të tyre. Këto mund të jenë simpati personale. Më së paku vlerësime”, ka thënë ai duke shtuar se “po i lexoj por, që flasin nuk më flasin këto statistika”.

Në anketën e publikuar dje nga UNDP thuhet se niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve të Kosovës për punën e kryeministrit këtë vit është rritur për 44.7 për qind për dallim me nëntorin e vitit 2019, ku kryeministër në detyrë ishte Ramush Haradinaj.

Kjo është një nga gjetjet e raportit i nivelit të kënaqshmërisë gjatë muajit prill nga UNDP.“Niveli i kënaqshmërisë së regjistruar me punën e Kryeministrit është 65.4 për qind. Kënaqshmëria me punën e Kryeministrit ka pësuar rritje nga 20.7% në 65.4%”, thuhet në raport.

Anketa e UNDP-së – Qytetarët më të kënaqur me punën e Kryeministrit këtë vit

Heldt për raportin e UNDP: Statistikat flasin