Mustafa: Nëse LVV zotohet të na mbështesë për presidentin, LDK heq dorë nga një ministri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij tha se në mbledhjen e fundit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e kanë diskutuar edhe çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Mustafa tha se në këtë takim ka propozuar që nëse LVV zotohet ta mbështesë kandidatin e LDK-së për President, atëherë LDK është e gatshme të japë një nga 5 ministritë që i takojnë.

“Unë kam propozuar që nëse LVV zotohet të japë votat për kandidatin për President të propozuar nga LDK, atëherë ne do të heqim dorë nga njëra ministri që na takon. Pra, që LVV të ketë 6 ministri e LDK 4. Por unë nuk kam parë një gatishmëri nga Vetëvendosje për këtë gjë”, tha Isa Mustafa.

Lidhur me bisedimet me Vetëvendosjen, Mustafa tha se LDK mbetet e përkushtuar që të vazhdohet më tutje që të bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur koalicion për bashkëqeverisje me LVV.

“LDK vlerëson se ky koalicion nuk duhet assesi të shikohet si koalicion i rivalëve politikë, por si koalicion i një partneriteti i cili do të jetë i destinuar për të bërë ndryshimet e domosdoshme me qeverisjen më të mirë të vendit dhe për të ofruar perspektivë zhvillimore dhe perspektivë të shtetit ligjor Kosovës”, tha Isa Mustafa.

“Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së LVV-së për takimet e ardhshme. Vlerësojmë se nëse do të ketë vullnet politik, do të ketë mirëbesim, respekt reciprok, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Parimi që u tha në Këshillin e Përgjithshëm është që pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat me të cilat do të sfidohet ky koalicion gjatë 4 viteve, dhe po ashtu që trajtimi i këtyre pozitave të jetë në harmoni me interesin tonë që të kemi koalicion që zgjat 4 ose 8 vjet e assesi të kemi koalicion që do të sfidohet në momente të caktuara qoftë nga zgjedhja e presidentit qoftë nga momente të tjera që mund të jenë sfiduese për qëndrueshmërinë e këtij koalicioni”, shtoi kryetari i LDK-së.