Mustafa në takim me Lajçak: LDK është e përkushtuar për dialog konstruktiv

Kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se për partinë e tij dialogu konstruktiv është prioritet.

“Kryetari Mustafa e falënderoi z. Lajçak për bashkëpunimin dhe e njoftoj rreth qëndrimit të LDK-së për procesin e dialogut me Serbinë. Për LDK-në është shumë e rëndësishme që Kosova të mbetet e përkushtuar në dialog konstuktiv, që do sillte njohje reciproke dhe që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociushëm”, thuhet përmes një njoftimi për media të LDK-së.

Tutje, thuhet se për LDK-në orientim mbetet ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me aleatët perëndimorë.

Lajçak dje ka ardhur në një vizitë treditore në Kosovë. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Lajçak do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe partive politike, si dhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Sot, ai u takua edhe me u.d. presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti si dhe kandidatin për kryeministër nga LVV, Albin Kurti.

Pas kësaj, ai do të vizitojë Serbinë më 3 dhe 4 mars, ndërsa do të vizitojë Malin e Zi më 4 dhe 5 mars.