Mustafa: Me pas pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e disa të tjerë janë ata që kanë lënë qytetarët e vendit pa liberalizim të vizave.
Mustafa ka reaguar përmes një postimi në Facebook pasi në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor Kosovës nuk iu hoqën vizat.
“Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit.Sa njeriut të sëmurë, të papunë e nevojtar për të shkuar në perëndim i është refuzuar viza, e kjo nuk i ka brengosë këta që sot janë në pushtet. Edhe disa në opozitë”, shkroi ai.
Mustafa ironizoi edhe me fjalimin e presidentes Osmani në këtë Samit, e cila tha se është e vetmja në tavolinë të cilës i është dashur vizë për të shkuar atje.
“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut”, thuhet në postim.