Mustafa: LVV-ja e ka sjellë e para në diskutim postin e presidentit

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e para që e ka propozuar çështjen e presidentit në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje mes dy partive.

“Çështja e presidentit është dhënë në fillim si propozim nga LVV që të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes. Ata e patën konsideruar si çështje të dy shtyllave, njëra shtyllë shkon me kryeministrin dhe shtylla tjetër me presidentin dhe kryetarin e Kuvendit. Propozimi ka qenë i shkruar, ata kanë pritur nga ne që t’u japim përgjigje, por ne nuk u dhamë meqë nuk hymë në atë fazë të marrëveshjes”, ka thënë Mustafa për KTV-në.

LVV dhe LDK ka ditë që nuk po mund të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje për shkak të postit të presidentit.

Madje sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës i gjeti këto parti pa ndonjë marrëveshje.

Në këtë seancë megjithatë u zgjedhën kreytari i Kuvendit, Glauk Konjufca nga LVV dhe pesë nënkryetarët: Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë.

Zgjedhjen e Konjufcës si kryekuvendar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa,e ka quajtur të njëanshëm.

Kurse, Kurti ka thënë se zgjedhja e tij nuk është befasi.