Isa Mustafa - FOTO - Valon Fana - KALLXO

Mustafa: LDK mban kuvendin zgjedhor më së largu në mes të muajit mars

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në mes të muajit mars partia do të udhëhiqet nga një kryetar i ri.

Ai ka thënë se të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së do të ushtrojnë edhe më tutje detyrën ndërsa tha se deri më tani nuk është diskutuar asnjë emër i cili do të mund t’i printe partisë më të vjetër në vend, LDK-së.

“Është vetëm dorëheqja ime, pasi të kryhet Kuvendi, të zgjidhet kryetari i ri, pastaj bëhen ndryshimet në këshillin e përgjithshëm, varësisht prej propozimeve që bën kryetari i ri edhe vazhdohet. Ne tani nuk mund të merremi me degët, ne merremi me pozitën e kryetarit të LDK-së, LDK vazhdon të punojë në mënyrë normale”, deklaroi Mustafa të martën para mediave.

“Nuk ka dorëheqje të kryetarëve të degëve as pranim të dorëheqjeve të tyre ata vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre. Nuk është diskutuar asnjë emër, do të mundohemi që sa më shpejt të kemi edhe propozime prej degëve, do të kemi propozime edhe prej Kryesisë. Nuk kemi caktuar ende datë për kuvendin zgjedhor, afati më i gjatë për mbajtjen e kuvendit është 60 ditë, por ne nuk do ta presim 60 ditë, do të bëjmë përpjekje që deri në mesin e marsit ta përmbyllim këtë proces”, tha ai.

Isa Mustafa ka komentuar edhe rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai tha se njerëzit e LDK-së kanë votuar “ndryshimin e promovuar nga Vetëvendosje”.

“Nuk e kemi pritë askund e në asnjë vend këtë rezultat, nuk kemi pasur asnjë vlerësim të tillë edhe nga fushata që z. Hoti e ka bëtë në gjithë Kosovën. Ka ndodhë një rrëshqitje e votës, qytetarët mund ta dinë pse e kanë bërë atë. Unë nuk besoj që i kemi bërë mirë Kosovës me këtë rezultat (të LVV-së), ne kemi bërë shumë mirë që e kemi prishë koalicionin me Vetëvendosjen sepse e kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me ShBA-të edhe për ta rujtuar dinjitetin e partisë. Vota jonë ka shkuar në Vetëvendosje, njerëzit tanë e kanë votuar ndryshimin që ata e kanë promovuar. A ia kanë qëlluar apo jo, do ta shohim së shpejti”, deklaroi Isa Mustafa pas takimit me kryetarët e degëve të LDK-së.