
Kandidati i LDK-së, Besian Mustafa. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Mustafa (LDK): Do ta ndërtojmë Centralin me gaz dhe Parkun teknologjik
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, në “Debat Përnime”, ka folur për nevojën e bashkëpunimit mes sektorit privat dhe atij publik në Kosovë.
“Ekonomia e tregut të lirë nuk bëhet pa sektorin privat. Pra, gjithmonë kemi paraparë dhe parashohim bashkëpunim të ngushtë mes sektorit publik, pra qeverisjes dhe sektorit privat, në këtë rast kompanive private.” – ka theksuar Mustafa.
Ai ngriti shqetësimin e tij karshi Qeverisë aktuale, për mungesën e ekzekutimit të fondeve ndërkombëtare,
“Nuk është problemi te mungesa e Marrëveshjeve ndërkombëtare dhe financimit ndërkombëtar, por është te mungesa e ekzekutimit të këtyre fondeve nga ana e kësaj Qeverie.” – tha Mustafa.
Ky kandidat për deputet përmendi dy projekte që planifikojnë t’i realizojnë nëse e marrin pushtetin, e që janë: Centrali me gaz dhe Parku teknologjik.
“Centralin me gaz të cilin do ta ndërtojmë në Komunën e Ferizajit do ta financojmë përmes Fondeve të Trustit Pensional, ndërsa Parkun Teknologjik, po ashtu në dalje të Prishtinës – ku do të ketë një sistem që përfshin të gjitha hallkat e zingjirit të këtyre teknologjive, pra të gjitha një lokacion fizik – do të bëhet me një investim prej 30 milionë eurove.” – ka theksuar Mustafa.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim me partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
LDK premton në “Debat Përnime” reforma në drejtësi dhe investime kapitale miliardëshe