Mustafa: Kryeministrin Hoti nuk duhet ta udhëzojnë liderët e koalicionit por Kushtetuta

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se kryeministrin Avdullah Hoti nuk duhet ta udhëzojnë tre liderët e koalicionit qeverisës por Kushtetuta e Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Mustafa ka thënë se ai vetë nuk e udhëzon kryeministrin Hoti por konsultohet me të.

“Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Sipasj tij, ai preferon që të ketë konsultime të rregullta dhe përmbajtësore me partnerët e koalicionit dhe vetë kryeministrin, por që edhe t’i besohet atij që ta kryejë detyrën.

“Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar në fund Mustafa.