Mustafa: Konjufca kryekuvendar, veprim i njëanshëm i LVV-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa,e ka quajtur të njëanshëm zgjedhjen e deputetit të LVV-së, Glauk Konjufca si kryetar të Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive.

Mustafa tha se gjatë bisedimeve nuk kanë folur vetëm për çështjen e kryekuvendarit.

“Jemi marrë vesh edhe për kriteret për ndarjen e ministrive. Kishim mbetur vetëm tek çështja e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve dhe zotimit për çështjen e presidentit kur t’i vijë koha. Menduam se ishim shumë afër, por kur i dëgjonim deklaratat e tyre u kuptua se ishte tërheqje prapa.Edhe kjo sot që ndodhi është një veprim i njëanshëm i LVV-së, jashtë marrëveshjeve që ne kemi pasur deri më tani”, ka thënë ai në “Rubikon” të “KTV”-së.

Mustafa ka thënë se kanë bërë përpjeke të gjatë për marrëveshje me LVV-në, por nuk ka qenë pjesë e saj kryekuvendari.

“Jo, asnjë marrëveshje s’ka pasur për kryetar të Kuvendit por ne kemi vlerësuar që nëse LVV del me propozimin e saj për kryetar të Kuvendit, meqë sipas Kushtetutës është LVV ai subjekt politik i parë që ka të drejtën ta bëjë propozimin e kryetarit, atëherë ne ta votojmë këtë sepse ne nuk shohim asnjë arsye që ne të mos japim kontributin tonë për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë lideri i LDK-së.

Konjufca sot me propozim të liderit të LVV-së, Albin Kurti është zgjedhur kryeparlamentar me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.

Emërimin e tij në këtë pozitë nuk e ka quajtur befasi vetë Kurti, sot para mediave.

Po ashtu nënkryetarë të Kuvendit janë zgjedhur: Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë.

Megjithëse është formuar legjislatura e re ende nuk dihet se kur do të formohet Qeveria, ku partitë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke bërë përpjekje për formimin e saj, por kanë hasur në vështirësi rreth postit të presidentit.

Sot Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë me një ofertë 5 pikëshe për t’i dhënë fund bllokadës në të cilën janë përfshirë dy partnerët e mundshëm të koalicionit qeveritar LVV-LDK.