Arkiv

Mustafa kërkon që të përkrahen Hoti, Thaçi e Hyseni në procesin e dialogut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa ka njoftuar se ka biseduar me koordinatorin shtetëror për dialogun me Serbinë Skender Hysenin, të cilit thotë se i shprehu përkrahje për marrëveshje që rezulton me njohje reciproke.

Ai bëri thirrje që të përkrahen kryeministri dhe presidenti i vendit në procesin e bisedimeve me Serbinë. Mustafa ka thënë se ShBA-të janë rol aktiv në procesin e dialogut.

“Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror  për dialog. Shpreha përkrahjen tij e dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke. Se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social “Facebook”.

Mustafa ka thënë se përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe jo veçanërisht ndonjë subjekti.

“Poashtu është për tu vlerësuar deklarimi i qartë nga takimi i Koordinatorit Shtetëror, z. Hyseni me z. Philip Reeker, Asistent Sekretar Kyesor për  Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan te Shtetit, që dëshmon përkushtimin dhe rolin aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut. Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e qojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, ka përfunduar lideri i LDK-së.

Kujtojmë se të mërkurën kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kritikoi qasjen e LDK-së në dialogun me Serbinë. Ai tha se si partner të koalicionit nuk janë njoftuar fare për emërimin e Skender Hysenit. Gjithashtu sipas tij, LDK po tenton që ta përvetësoj dialogun.

Haradinaj: Nuk ishim në dijeni për emërimin e Skender Hysenit, qasja e Hotit nuk mund të vazhdoj