Arkiv

Mustafa i reagon kritikave të LVV-së ndaj Hotit lidhur me Asociacionin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe kritikave ndaj kryeministrit Avdullah Hoti.

Mustafa përmes një postimi në Facebook ka shkruar se LVV po pajtohet të themelohet Asociacioni sipas Marrëveshjes së nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

“Ndërkaq, Vuçiqi ishte pajtuar në Marrëveshjen mbi parimet, të cilën e nënshkruam në vitin 2015 që Asociacioni do të themelohet pasi që Gjykata Kushtetuese konstaton se vendimi i Qeverisë dhe Statuti, (përfshirë edhe ndryshimet e tij) janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo dispozitë nuk gjendet në Marrëveshjen e Parë”, ka shtuar Mustafa.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka nisur procedurat për të thirrur në interpelancë kryeministrin Avdullah Hoti në lidhje me deklaratën e këtij të fundit se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të zbatohet.

Vetëvendosje pretendon se qëndrimi i kryeministrit Hoti është në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kishte nxjerrë se në të paktën 23 pika, marrëveshja e 2015 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Zajednica është projekt i vdekur, i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit qytetarë dhe opozitarë. Avdullah Hoti nuk mund t’i imponojë Kosovës dhe popullit të saj një projekt kundërkushtetues dhe që rrënon mundësinë për një shtet unitar dhe funksional”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Më poshtë e gjeni të plotë postimin e Isa Mustafës në Facebook:

Po i përcjell sulmet që po i bëhen Kryeministrit Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje, në njërën anë dhe nga Presidenti i Serbisë, në anën tjetër, lidhur me Asociacionin (apo “Zajednicen, me gjuhën e VV-së)
VV ishte shprehur sot për mediat: “…. ne do ta mbrojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nga kushdo e posaqërisht nga kryeministri ilegjitim Hoti”.
Ndërkaq, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë:
Gjykata Kushtetuese, ne mbeshtetje te nenit 84 (9) ne lidhje me nenin 112.1 te Kushtetutes, ne mbeshtetje me nenin 20 te Ligjit dhe me rregullin 56 (a) te Rregullores se punes, ne seancen e mbajtur me 21 dhjetor 2015, me shumice votash
VENDOS
I. TE DEKLAROJE kerkesen te pranueshme;
II. TE KONSTATOJE qe Asociacioni/Bashkesia e komunave me shumice serbe do te themelohet, siç eshte parapare me Marreveshjen e Pare, te ratifikuar nga Kuvendi i Republikes se Kosoves dhe shpallur nga Presidentja e Republikes se Kosoves;…
Kjo le të konstatohet se LVV pajtohet të themelohet Asociacioni sipas Marrëveshjes së nënshkruar nga z. Thaçi, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.
Ndërkaq, Vuçiqi ishte pajtuar në Marrëveshjen mbi parimet, të cilën e nënshkruam në vitin 2015 që Asociacioni do të themelohet pasi që Gjykata Kushtetuese konstaton se vendimi i Qeverisë dhe Statuti, (përfshirë edhe ndryshimet e tij) janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo dispozitë nuk gjendet në Marrëveshjen e Parë!