Mustafa i quan ‘kanaqe politike’ ata që kritikojnë LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i ka quajtur ‘kanaçe politike’ ata që e kritikojnë partinë e tij.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së ka thënë që partia e tij nuk dorëzohet para presioneve.

“Dorëzimi para pseudoanalistëve, “profesorëve” nga Kosova e “Amerika” që askush nuk i njeh si të tillë përveç disa portaleve, nuk është veçori e LDK-së. Një armatë e tërë kundërshtarësh nga soje të ndryshme e kanaqe politike është angazhuar t’ua lajë trurin njerëzve të ndershëm në LDK-së dhe jashtë saj”, ka shkruar ai.

Mustafa ka theksuar se LDK-ja garon të dalë e para, garon të qeverisë me vendin.

“Ua kemi borxh qytetarëve dhe bizneseve implementimin e programit ekonomik dhe të punësimit; përmbylljen e dialogut me njohje reciproke; vazhdimin e fuqishëm të luftës kundër pandemisë; heqjen e vizave”, ka shkruar ai.

Sipas tij qytetarët do të vendosin që LDK-ja të qeverisë dhe jo të qëndrojë në opozitë.

“Në opozitë duhet të mbesin ata që s’dinë të qeverisin por të vetmen gjë që e dijnë është  të bëjnë zhurmë”, ka theksuar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt. LDK-ja në këto zgjedhje do të garojë në listë të përbashkët me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Bartës i kësaj liste është kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti.