Mustafa i përgjigjet kërkesës së Gjermanisë dhe Francës: Mocioni është në të drejtën e deputetëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është përgjigjur kërkesës së Gjermanisë dhe Francës për mos rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Mustafa ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, që sipas tij nuk ka bashkëpunuar për ta tejkaluar situatën e krijuar.

“Bashkëpunimi me Gjermaninë dhe Francën sikurse edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian është me rëndësi thenelore për LDK-në dhe për Kosovën. Kosova ka gëzuar përherë përkrahje të fuqishme të këtyre vendeve. Prandaj edhe e mirëkuptojmëb brengën e tyre për situatën aktuale në Kosovë”, ka shkruar Isa Mustafa në Facebook.

“LDK ka bërë të gjitha përpjekjet ta bindim partnerin tonë të koalicionit për bashkëpunim me mirëkuptim por nuk kemi arritur. Në vend të kësaj ka bërë vazhdimisht veprime të njëanshme dhe për LDK-në të dëmshme. Jemi të vetëdijshëm edhe për këtë situatë të Coronavirusit, por këtë e ka zgjedhur dhe e ka shkaktuar z. Kurti dhe jo LDK-ja në asnjë rast dhe me asnjë veprim”, thuhet në postimin e shefit të LDK-së.

Ai ka thënë se mocioni i votëbesimit është legjitim dhe këtë e kanë nënshkruar edhe deputetë jashtë LDK-së.

Në fund, ai ka thënë se partia e tij është e përkushtuar që të bashkëpunoj me vendet anëtare të BE-së.

“Ministrat tanë do të bëjnë punën për aq sa u krijon hapësirë z.Kurti që ta përballojmë luftën me këtë virus. Mocioni është një instrument demokratik. Ai tani, sipas Kushtetutës është në të drejtën e deputetëve që e kanë nënshkruaj, jo vetëm e atyre të LDK-së”, ka deklaruar ai.

“LDK siguron se mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me vendet e BE-së, si anëtare e familjes së PPE, për proceset e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, dialogut si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe forëcimin e shtetit ligjor”, thuhet në fund të postimit.

Sot, në një seancë në Kuvendin e Kosovës pritët të votohet mocioni i iniciuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së, për rrëzimin e Qeverisë në të cilën bëjnë pjesë vetë.