Arkiv

Mustafa: Fjalët se Shqipëria ka qenë kundër UÇK-së, nuk i ndihmojnë atyre në Hagë

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Shqipëria ka qenë në krah të Kosovës në rrugën e saj të çlirimit dhe shtet ndërtimit.

“E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush  nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjesëtarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë  së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë”, ka shkruar Mustafa.

Ai tha se Shqipëria nuk ka pasur gisht në krijimin e Gjykatës Speciale, ka qenë Kuvendi i Kosovës ai që ka vendosur diçka të tillë.

“Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte”, tha ai.

“Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve.  Ka qenë ndihmë specifike”, shtoi ai.

Mustafa ka thënë se  ‘baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë’.

Në Hagë, nën pretendimet se kanë kryer krime lufte janë duke u gjykuar, ish-presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ish-krye parlamentari Jakup Krasniqi dhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.