Foto: Besian Mustafa/Facebook

Mustafa: Do të përkrahim bujqit që të prodhojnë ushqim për nevojat e familjeve kosovare

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa në një konferencë për media, ka deklaruar se në këtë gjendje emergjente, do të përkrahin bujqit që të sigurohet buka dhe ushqimi nga tokat e tyre për familjet kosovare.

Ai deklaroi se koordinim të vazhdueshëm me homologët e tij në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, ka arritur të sigurojë korridor të furnizimit me ushqim për blegtorinë dhe shpeztarinë, duke evituar kështu një krizë për këta dy sektorë.

“Në çdo kohë, por veçanërisht në këtë gjendje emergjente, qytetarët kosovarë kanë nevojë të dinë se bujqit tanë me përkrahje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mund të prodhojnë ushqim në sasi e cilësi për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave elementare ushqyese të familjeve kosovare. Fatmirësisht, jemi në kohën e të mbjellave pranverore kur bujqit tanë, me përkushtim të lartë, por me kujdes të shtuar, po vazhdojnë punën e tyre”, tha Mustafa.

Ministri gjithashtu përmendi realizimin e të gjitha pagesave të subvencioneve dhe granteve për 1.702 përfitues në vlerë prej 2 milion e 456 mijë euro dhe për shtyrjen e afatit për implementimin e projekteve të granteve.

Ministri Mustafa përmendi masat të cilat kanë ndërmarr:

  1. Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, që përbëjnë ushqyesit elementar për qytetarët, blegtorinë dhe shpezëtarinë, do të vazhdojnë të përkrahen, duke i shtuar angazhimin tim personal që pagesat e subvencioneve në këtë drejtim të realizohen në afat rekord;
  2. Do të rrisim subvencionet për 50% për prodhimin intensiv të perimeve në serra, për të siguruar më shumë perime të freskëta si domate, speca, tranguj, etj. për tavolinat e familjeve tona;
  3. Që të rrisim të hyrat e shtetit nga eksporti, do të rrisim subvencionimin për 50% për mjedrën, si kulturë me potencial të madh eksportues;
  4. Për të siguruar më shumë bulmet dhe mish, do të rrisim subvencionimin për 20% për lopë qumështore, dele, dhi dhe buallica;
  5. Ndërsa për të ju dhënë familjeve tona siguri dhe higjienë në mishin e prodhuar në vend, do të rrisim subvencionimin për 50% për kafshët e therura në thertore të licencuara që zbatojnë standardet më të larta;
  6. Për të mbrojtur ushqimin vendor nga fatkeqësitë natyrore, do të mbulojmë më shumë kultura bujqësore përmes skemës së sigurimeve bujqësore për të përfshirë, përveç mjedrës edhe rrushin, mollën dhe kumbullën.

“Për të rritur më shumë prodhimtarinë vendor, ai tha se do të përkrahin ndërtimin me kapaciteteve në sera, pemishte, stalla. Jemi në gjendje emergjente dhe kemi obligim për të siguruar ushqime për familjet tona duke shfrytëzuar të mbjellat që na i sjell kjo kohë. Si ministër po angazhohemi që të sigurojmë më shumë ushqime nga tokat tona, në këtë mënyrë do të mbrojmë buqit tanë, bukën tonë dhe ardhmërinë tonë”, përfundoi ai.

Ministria e Bujqësisë ua shtynë fermerëve afatin për implementim të projekteve të granteve

Ministria e Bujqësisë realizon pagesat për përfituesit e granteve dhe subvencioneve