Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mustafa: Do ta mbulojmë 90 për qind polisën e sigurimit për bujqit

Kandidati për deputet, Besian Mustafa, në #DebatPernime, ka dhënë zotimet e tij dhe të LDK-së energjinë, bujqësinë e ambientin.

Premtimet dhe zotimet e LDK-së do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

Besian Mustafa, i cili është aktualisht edhe ministër në detyrë i Bujqësisë tha se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta bëj polisë të sigurimit për bujqit dhe dëmet që do t’u shkaktohen nga vërshimet.

“Do t’i bashkohemi BE në subvencionin e dëmeve pas vërshimeve dhe bujqit do të marrin polisë të sigurimit. Qeveria do ta subvencionojë 90 për qind të polisës në 5 vitet e para”, ka thënë Mustafa.

Më tej ai ka thënë se përmes një aplikacioni mobil dhe numri identifikues të fermës , bujqit do të mund ta marrin naftën në pikat e shitjes pa akcizë.

“E gjithë databaza e bujqëve do të kthehet në sistem online, përmes aplikacioni në telefon, i cili do të kryhet gjatë mandatit të ardhshëm dhe kur të shkojnë në pikat e naftës të kenë numrin identifikues të fermës dhe ta marrin naftën pa akcizë”, ka thënë Mustafa.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK dhe Hajrullah Çeku nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Energji, Bujqësi dhe Ambient’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.