Mustafa: Dialogu po shndërrohet në instrument të Serbisë

Kryetari i Lidhjes  Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se sa më shumë që po rrjedh koha dialogu po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për t’i vënë në harresë krimet e saj

Mustafa  në një postim në Facebook ka shkruar se dialogu po e humb kuptimin nga sjelljet e Bashkimit Evropian dhe të Serbisë.

Mustafa ka shkruar se Kosova e vlerëson fjalimin deputetit shqiptar Shaip Kamberi  në Parlamentin e Serbisë.

“Por ne dëgjuam edhe betimin e çdo ministri serb , tjerë përveç serbëve nuk ka në “demokracinë serbe” se “ do  të jem i përkushtuar ruajtjes së Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë. Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj? “ ka shkruar Mustafa.

Tutje, ai ka shkruar se ka përshtypjen se përkushtimi i Kosovës nuk po vlerësohet në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës.

“Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në “Pakon e Ahtisarit” ka shkruar Mustafa.

Sipas Mustafës, kundërshtimi i vendeve të caktuara të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarë e Kosovës, krahas përmbushjes së kritereve flet flet për një qëndrim paragjykues të tyre, sesa për parime.

“Ne kemi dëshirë të besojmë se vendet e tilla ia duan të mirën Kosovës. Por kjo ide nuk pasqyrohet përmes politikave të izolimit të qytetarëve të një vendi” ka shkruar ai.