Isa Mustafa

Mustafa: Askush në LDK nuk e ka marrë seriozisht ultimatumin e VV-së

Pas përfundimit të Mbledhjes së Këshillit të LDK-së, kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se askush në LDK nuk ka marrë me seriozitet ultimatumet e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicionin mes këtyre dy partive.

Ishte Glauk Konjufca i cili para disa ditësh në një televizion në Kosovë kishte thënë se VV do ta presë LDK-në për koalicion deri në fund të muajit.

Kryetari Mustafa tha se LVV nuk duhet të dalë me kushte por sipas tij çështjet po bisedat nuk mund të bëhen përmes ekraneve por përmes uljes në tavolinë dhe bisedimit.

“Të ju them të drejtën, atë ultimatumin të them kushtimisht të Vetëvendosjes kush seriozisht në LDK se ka marrë. Çka do që flasin ata përmes ekraneve nuk mund të rregullojmë punët përmes ekraneve, mund të ulemi dhe të bisedojmë dhe jo të vëjmë kushte. Punët rregullohen në tavolinë. Kështu që ato ditë kushdo që i ka thënë është punë e tij jo e jona”, tha Mustafa.

Ai shtoi se do të vlerësojnë se cili është interesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe qytetarëve të Kosovës.

“Ne do të vlerësojmë qartë se cili është interesi edhe LDK-së edhe i Kosovës. Vlerësoj që kemi interes edhe me LVV ta bëjmë këtë punë, por a kemi interes ta bëjmë këtë para zgjedhje apo pas zgjedhjeve duhet të shikojmë. Ne shkojmë veç e veç pasi të ndodhin zgjedhjet do të ulemi dhe merremi vesh për bashkë-qeverisje”, shtoi ai.

Emrat e kryesisë së re të LDK-së