Mustafa: As për ambicie të mia nuk e kushtëzoj koalicionin me LVV-në

Posti i Presidentit dhe pozitat e tjera nuk priten të jenë pikë thyese për koalicionin e mundshëm LDK-LVV.

Kështu të paktën ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Mustafa përballë Jeta Xharrës ka treguar për bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me postin e Presidentit.

Ai nuk e ka përjashtuar veten si kandidat për këtë post mirëpo ka thënë se LDK do ta zgjedhë kandidatin, nëse posti i Presidentit i takon kësaj partie.

“Unë mendoj se të tjerët po flasin ma shumë për këtë çështje, ne nuk e kemi hapur këtë çështjen e Presidentit se kush duhet të jetë në LDK. Nuk kam shfaqur as unë interesimin deri më tani dhe për të është biseduar më tepër në rrethana krejt tjera jo të drejtpërdrejta. Do të presim për këtë çështje që kur të vjen koha e Presidentit, nëse i bjen LDK-së kjo pozitë vendos LDK-ja se kush do të jetë kandidati I LDK-së. Tani për tani nuk kam as unë adresim për këtë cështje e as LDK-ja”, tha Mustafa.

Ai theksoi se një partie brenda këtij koalicioni nuk mund t’i takojë edhe posti i Presidentit dhe ai i Kryeministrit. Megjithatë, sipas tij, ambiciet personale nuk  do të hyjnë mes tyre.

“Ne do të mundohemi që të arrijmë marrëveshje me Vetëvendosjen që ti trajtojmë të gjitha pozitat prëfshirë edhe Prëesidentin. Mirëpo për arsye të ambicie personale të dikujt qoftë ato edhe të miat nuk do ta kushtëzojmë asnjëherë koalicionin, për parime po, se nuk mundet një subjekt ta ketë edhe Presidentin edhe Kryeministrin. S’kemi njerëz që nuk janë politikë në Kosovë [për postin e Presidentit], unë se njoh asnjënin dhe deri më tani asnjëni s’doli që nuk e ka një afinitet ndaj partive politike.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, rezultatet e së cilave ende nuk janë certifikuar, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithatë, takime në mes liderëve nuk kanë ndodhur dhe nuk priten të ndodhin deri në certifikim.

Përballë Jeta Xharrës, Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: