Arkiv

Mustafa: Analfabetët funksionalë e sollën në pushtet Kurtin

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se në vitin 2020, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka prishur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje për të evituar konfrontimin me SHBA-të.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vepruar në interes të Kosovës.

“Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në , nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin por do ta paguajë e gjithë Kosova”- ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se janë vetë ndërkombëtarët dhe ata që ai i ka quajtur “analfabetë funksionalë” ata që e sollën kryeministrin aktual Albin Kurti në pushtet.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, qeveria do të udhëhiqej nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i cili pas më shumë se 4 muaj negociatash kishte arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila drejtohej nga Isa Mustafa.

Qeverisja LVV-LDK, mbahet mend si qeveria më e shkurtër në historinë e Kosovës, sepse vetëm pas 52 ditëve u rrëzua me një mocion të mosbesimit të iniciuar pikërisht nga LDK-ja.