Musliu-Shoshi: Ministrja Gërvalla arsyeton dështimin në politikën e jashtme me shkarkim të ambasadorëve dhe konsujve

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është edhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, në emisionin “Kallxo Përnime” ka kritikuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën për punën e bërë 1 vjet pas marrjes së mandatit.

“Është një ministre e fjetur, dështimin në politikën e jashtme mundohet ta arsyetojë më shkarkim të ambasadorëve, me shkarkim të konsujve. Nuk është vetëm rasti i Gramosit, ne kemi shumë raste të cilat janë drejtu në Komision, dhe do t’i shikojmë ku janë këto shkelje ligjore”, ka thënë ajo.

Musliu-Shoshi ka thënë se ajo nuk është kundër shkarkimeve por që, sipas saj, duhet të ketë bazë ligjore për to dhe të mos paralizohen shërbimet për qytetarët.

“Unë nuk jam kundër, gjithçka që është e ligjshme duhet të vihet në vend mirëpo duhet të shikohet me sa të drejtë janë shkarkuar edhe 11 zyrtarët dhe me çfarë logjike i tërheq konsujt e përgjithshëm kur ty të kërkohet që të kesh një shërbim diplomatik në punë 24 orë”, tha ajo.

Të ftuar në emision janë: Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ariana Musliu-Shoshi, deputete e Komisionit për Punë të Jashtme nga PDK, Muhamet Idrizi, kryetar i shoqatës “ODA” në Hamburg dhe Bekim Baliqi, profesor i Shkencave Politike në UP.