Musliu-Shoshi: Deputeti nuk duhet të paguhet për karburant, as për pjesëmarrje në seanca e komisione

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ndaj shpenzimeve të deputetëve për karburante.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se “deputeti NUK duhet të paguhet as për karburant, as për pjesëmarrje në seanca e komisione. Është detyrë obligative që deputeti të vij në seancë dhe komisione”.

Musliu-Shoshi përveç kësaj ka shkruar se deputeti duhet t’i ketë kushtet elementare për punë.

“POR, ashtu si çdo zyrtar i lartë shtetëror, besoj edhe deputeti e meriton të i ketë kushtet elementare për punë siç është zyre për punë, këshilltarë dhe asistent”, kushte të cilat nuk i ka sipas saj.


Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com ka provuar të marr përgjigje për këtë temë tek shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri dhe te nënkryetari i këtij subjekti Enver Hoxhaj por nuk ka arritur të marr përgjigje.

Gjatë ditës ka reaguar grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Mimoza Kusari-Lila ka thënë se deputetët e LVV, tërhiqen vullnetarisht nga kompensimi i karburanteve.

Sipas saj në legjislaturën aktuale të Kuvendit të Kosovës janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe ka treguar se vendimi mbi kompensimin e deputetëve bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet e tyre të punës, daton nga 10 tetori i vitit 2011 dhe është i nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, tha për KALLXO.com se deputetët nuk kanë kurrfarë përgjegjësie pasi sipas tij kjo është praktikë ligjore.

Tahiri, vlerëson se është në dorën e shumicës parlamentare që të kërkoj ndryshimin e këtij vendimi.