Kandidatja e PDK-së Ganimete Musliu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Musliu: Secila parti opozitare, që pranon koalicion me Kurtin, e pranon se elektorati i tyre janë "hajvanat"

Kandidatja për Deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se secili Kryetar i partive opozitare që e pranon një koalicion me Albin Kurtin, e pranon se elektorati i tyre është “hajvanat”.

Kjo vjen pasi kandidati për Kryeministër nga LVV, Albin Kurti, mbrëmë pasi shpalli fitoren e partisë së tij, i quajti partitë opozitare “hajvana”.

“Secili Kryetar i partive opozitare që e pranon një koalicion me Albin Kurtin, e pranon se elektorati i tyre është hajvanat. Prandaj, le të mendojnë mirë për hapat që do t’i marrin gjatë kësaj jave.” – ka shkruar Musliu, më 10.02.2025, në rrjetin social Facebook.

Pas mesnate, Lëvizja Vetëvendosje doli në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të festuar fitoren pas rezultateve preliminare të Zgjedhjeve të publikuara nga KQZ për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Kandidati i kësaj partie për Kryeministër, Albin Kurti nuk kurseu fyerjet ndaj partive opozitare, të cilët i quajti “hajvana”.

“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se Programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit… e kanë marrë vesh sonte të gjithë ata. Ata e kanë mashtru vetëm veten e tyre.” – kishte thënë Kurti mes të tjerash.

Me 96.45% të votave të numëruara deri në orën 16:04, Vetëvendosje renditet e para me 333 mijë e 436 vota, apo 41.11%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.28% të votave, apo 180 mijë e 714 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani, me 17.78%, apo 144 mijë e 205 vota.

Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët kanë 7.46% të votave, apo 60 mijë e 497.

Rezultatet në kohë reale mund t’i ndiqni në këtë: LINK.

Lajm në zhvillim: Rezultatet preliminare pas numërimit të 96.45% të votave