Kandidatja e PDK-së Ganimete Musliu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Musliu (PDK): Qeveria e Bedri Hamzës do t’ua garantojë shitjen e produkteve të gjithë prodhuesve dhe fermerëve në Kosovë

Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Ganimete Musliu, ka prezantuar disa nga planet e partisë së saj për sektorin e bujqësisë, ku hyjnë: fuqizimi i fermerëve, ndërtimi i kanalit të Lepencit për ujë, trajnime për praktika të avancuara bujqësore dhe konsolidim të taksave bujqësore.

Në fokusin e PDK-së për bujqësinë, sipas saj, është edhe zhvillimi i bletarisë, pemëtarisë dhe vreshtarisë.

“Disa nga pikat kryesore në bujqësi janë fuqizimi i fermerëve përmes zgjerimit të subvencioneve, granteve dhe përmirësimit të qasjes në financa; ndërtimi i kanalit të Lepencit për ujë, zhvillim dhe siguri; rritje të produktivitetit; trajnime për praktika të avancuara bujqësore nga ferma në treg; mbështetje për standarde ndërkombëtare; konsolidim të taksave bujqësore dhe stimulim drejt verëtarisë, bletarisë, pemëtarisë, vreshtarisë”- tha ajo në “Debat Përnime”, më 01.02.2025.

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë do mundësohet edhe përmes shtijes së produkteve vendore, e që sipas kandidates Musliu, për këtë garanton “qeveria e udhëhequr nga Bedri Hamza”.

“Qeveria e Bedri Hamzës do t’u garantojë shitjen e produkteve të gjithë prodhuesve dhe fermerëve në Kosovë. Kur ju them që ju garanton shitjen, ne nuk nënkuptojmë që do ta ndalim tregun e lirë. Shteti do të kujdeset që të gjitha rezervat apo ato që ata nuk kanë mundur t’i shesin- shteti duhet t’i subvencionojë, t’i ruaj në ambiente adekuate që të jenë në përdorim për raste të caktuara emergjente”- tha Musliu.

Ndërsa për dhënien e subvencioneve u tha së do të ketë digjitalizim për mënyrën e shpërndarjes më qëllim që të evitohet edhe mundësia e keqpërdorimit dhe korrupsionit në këtë aspekt.

“Mënyra se si do të ndalet korrupsioni është digjitalizimi dhe monitorimi i shpërndarjes duke filluar nga aplikimet, pastaj edhe te ndarja e subvencioneve dhe granteve në bujqësi. Unë garantoj sot që në programin e Bedri Hamzës e ka pikën e digjitalizimit të monitorimit të granteve dhe subvencioneve”- tha Musliu.

Ndërsa kandidati Bernard Nikaj, tha se do të investohet edhe në shtretër të lumenjve dhe në teknologji që ju mundëson bujqve të adoptohen me ndryshime klimatike.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.

Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

Hekurudha, central me gaz dhe digjitalizim të sistemit bujqësor: Planet e PDK-së për infrastrukturë, ambient e bujqësi