Musliu: Marrëveshja, për PDK-në, është e papranueshme

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se për partinë e saj Marrëveshja e pranuar nga kryeministri Albin Kurti është komplet e papranueshme për shkak se, sipas saj, ajo nuk e ka në qendër njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

“Kurti në Bruksel tha se e ka pranuar Planin franko-gjerman ndërsa para dy ditësh tha se është pajtuar edhe me aneksin e kësaj Marrëveshjeje. Me këtë, Albin Kurti i pranoi të gjitha ato që ishte zotuar se nuk do t’i pranojë asnjëherë” – ka thënë Musliu në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ajo ka shtuar se ‘etja e Kurtit që të ketë një vend në historinë e vendit’, e ka bërë atë që të jetë gjithmonë kundër interesave shtetërore.

“Serbëve të Kosovës, me këtë Marrëveshje i garanton një mini-Serbi, ose thënë ndryshe e ka sjell Serbinë në Kosovë” – ka thënë Musliu.

Ndryshe, që nga e shtuna, kur u zhvillua takimi i Ohrit, ka pasur reagime të ashpra sa i përket aneksit për zbatimin e Planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.