Musliu: Lënia pa drejtor të AKI-së nuk duhet të ndodh

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka raportuar zëvendësdrejtoresha e AKI-së, Vlora Hyseni.

Meqë mbledhja e komisionit u zhvillua me dyer të mbyllura, kryesuesja e këtij komisioni Ganimete Musliu, në një konferencë për media, tha se  zv/drejtoresha e AKI-së që nga dhjetori deri më 15 prill e ka ushtru detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.

Sipas Musliut, lënia pa drejtor e AIK-së për një kohë kaq të gjatë ka lënë gjurmë në këtë institucion.

“Mbledhja shkoi në frymë normale. U. d. Drejtorja raportoi për periudhën sa ajo ka menaxhuar në AKI. Deputetët parashtruan pyetje të shumta që i takojnë departamentit të sigurisë kombëtare dhe mund të konstatoj që përmes këtij raportimi u nënkuptua që vakumi institucional ka lënë gjurmë në këtë institucion”, tha Musliu.

Musliu tha se “duhet ta kemi parasysh që një kohë kaq të gjatë e lënies pa drejtor të AKI-së nuk duhet të ndodh më asnjëherë në të ardhmen kushdo qoftë në krye të shtetit apo kushdo që ka qenë paraprakisht”.

Sipas saj nuk guxon në asnjë formë e as një mënyrë që për interesa personale e politika ditore institucioni i sigurisë kombëtare të ketë vakum aq të gjatë në zgjedhjen e drejtorit.