Musliu ia largon mikrofonin ministrit Murati: Ti s'ke të drejtë me folë tash, është jashtë rregullores (VIDEO)

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ia ka larguar mikrofonin ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili kishte marrë fjalën për t’u përgjigjur ndaj deputetëve në pikën deklarimet jashtë rendit të ditës.

“Kjo nuk është në rregull fare sepse ti nuk ke të drejtë me folë tash, se është jashtë rregullores”- ka thënë Musliu teksa ia largoi mikrofonin Muratit.

Në anën tjetër deputeti i Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, tha se sipas Rregullores së re te Kuvendit, neni 56 thotë se ministri nuk ka të drejtë të flasë ndërsa mundet dikush tjetër nga kabineti qeveritar.

Ministri Murati më pas e quajti Gashin “deputet problematik”.

“Nëse më jepet mundësia dhe mund të qetësohet deputeti problematik”- u shpreh Murati.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i kërkoi ministrit që të ulej në vendin e tij, pasi sipas rregullores ministri i ka 3 minuta dhe deputetët nga dy minuta.

“Rregullorja e re e parasheh që ministri me i pasë 3 minuta dhe deputetët nga dy minuta, por ministrat tjerë nëse duan ta vazhdojnë këtë diskutim nëse duan”- deklaroi Konjufca.

Ministri Murati paraprakisht e kishte marrë fjalën për të ju përgjigjur deputetëve për disa çështje si migrimi, rritja e çmimeve e inflacioni.

Sipas nenit 56 të rregullores së Kuvendit të Kosovës, Deklarimet e Qeverisë thuhet se deklarimi i anëtarit të Qeverisë mund të zgjasë deri në tre (3) minuta. Ndërsa, deklarimi i deputetit mund të zgjasë deri në dy (2) minuta.