Musliu: Gjendja e sigurisë është stabile, por përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës po vazhdojnë

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu (PDK), ka thënë se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është stabile dhe se situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme.

Megjithatë, ajo ka thënë se përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës po vazhdojnë.

Musliu ka thënë se bazuar në të dhënat inteligjente, grupi terrorist i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po vazhdon me ushtrime në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaunikut dhe Kralevës.

Sipas Musliut, ushtria serbe ka rritur praninë e patrullave në zonën përreth kufirit në veri të Kosovës.

“Grupi terrorist vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar. Në vazhdimësi janë duke planifikuar e diskutuar mundësitë për sulme. Radoiçiq është duke mbajtur kontakte me grupe, organizata radikale. Ushtria serbe ka rritur praninë e patrullave në zonën përreth kufirit me Kosovën sidomos nga Zubin Potoku deri në Leposaviq. Rritja e kapaciteteve ushtarake dhe stërvitjet ushtarake janë tregues që Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës”- ka thënë ajo.

Kështu u shpreh Musliu pas raportimit të shefit të AKI-së, Petrit Ajeti, në komisionin parlamentar.

Musliu ka thënë Kosova dhe institucionet e saj mbesin të përkushtuara për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Secili shtet ka të drejtë të manovroj në territorin e vet. Edhe Serbia i ka të drejtat të punoj në shtetin e vet si të dojë, derisa nuk ka provokime reale sulme të drejtpërdrejta. Kosova është duke e bërë punën e saj dhe nuk ka vend për shqetësim, janë në gjendje gatishmërie”- u shpreh tutje ajo.

Sipas saj, duhet pasur parasysh se nuk pritet diçka e mirë nga Serbia.

Ditët e fundit  në Kosovë ka pasur deklarime publike në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përsëritur edhe më 09.07.2014 rrezikun me të cilin mund të përballet Kosova për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë.

Ai ka thënë se nëse Serbia mbetet pa u ndëshkuar për sulmin e 24 shtatorit në Bansjkë, do ta përsërisë skenarin e njëjtë me përmasa më të mëdha.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin për sulmin në Banjkë ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Përveç, Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

Sulmin terrorist në Banjskë e dënuan akterë të shumtë ndërkombëtarë e vendorë.