Miliarderi Elon Musk, Foto: TED, Video

Musk: Shefi ekzekutiv i Twitter-it do të emërohet brenda vitit

Miliarderi Elon Musk tha të mërkurën se ai parashikon se do të emërojë shefin ekzekutiv të rrjetit Twitter brenda këtij viti.

Duke folur përmes një lidhje me video në takimin e organizatës “World Government Summit” në Dubai, zoti Musk tha se për të gjëja më e rëndësishme është që platforma të funksionojë.

“Duhet që ta stabilizoj kompaninë dhe thjesht të sigurohem se është në një situatë të shëndoshë financiare”, tha zoti Musk kur u pyet se kur do ta emëronte shefin ekzekutiv. “Mendoj se ndoshta nga fundi i këtij viti do të ishte koha e përshtatshme për të gjetur dikë tjetër që të drejtojë kompaninë”.

Por mbetet e paqartë se si do të respektohet ky afat. Komentet e tij erdhën vetëm pak orë pasi ai postoi në rrjetin Twitter imazhe të qenit të tij Floki, të rracës shiba inu, si shefi i ri i kompanisë Twitter.

“Shumë më mirë se tjetri”, shkruante zoti Musk, i cili poston shumë shpesh imazhe satirike (memes). Pas këtij postimi, vlera e kriptomonedhës Dogecoin e bazuar në imazhin satirik të qenit shiba inu, u rrit me rreth 5%. Në të kaluarën zoti Musk ka sugjeruar se rrjeti Twitter do të pranojë transaksione me monedhën dixhitale Dogecoin.

51-vjeçari Musk u pasurua fillimisht përmes faqes financiare PayPal dhe pastaj krijoi kompaninë hapësinore SpaceX dhe investoi në kompaninë e makinave elektrike Tesla.

Por kohët e fundit vëmendja është përqendruar tek kaosi që shoqëroi blerjen prej 44 miliardë dollarësh të rrjetit Twitter.

Ndërkohë, përdorimi nga ushtria ukrainase e shërbimit satelitor të internetit nga kompania Starlink e zotit Musk, teksa mbrohet nga agresioni rus, e ka vënë atë në qendër të polemikave të luftës.

Zoti Musk hapi një diskutim të gjerë duke ngritur shqetësime mbi rrezikun që paraqet përdorimi i inteligjencës artificiale, atë që ai e sheh si kolaps i qytetërimit, apo rreth mundësisë së ekzistencës së alienëve.

Por pyetjet ishin të shumta lidhur me rrjetin Twitter ndërsa zoti Musk i cilësoi kompanitë Tesla dhe SpaceX si të afta të funksionojnë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të tij në operacionet e përditshme.

“Twitter-i është ende në faza fillestare dhe kërkohet punë për ta vënë rrjetin në një pozicion të qëndrueshëm dhe për të ndërtuar motorin e inxhinierisë programuese”.

Zoti Musk gjithashtu u përpoq ta portretizonte blerjen e rrjetit Twitter me seli në San Françisko, si një korrigjim kulturor.

Pasi mori kontrollin e Twitter-it miliarderi Musk riktheu qasjen e zotit Donald Trump në platformë. Rrjeti e kishte përjashtuar atë pas trazirave në Kongres më 6 janar të vitit 2021 nga një turmë mbështetësish të tij. Zoti Musk po ashtu riktheu qasjen e disa individëve që përhapën dezinformata rreth koronavirusit, përfshirë ligjvënësen republikane të Xhorxhias Marjorie Taylor Green.

“Unë mendoj se ideja e përgjithshme është që të pasqyrojë vlerat e njerëzve në krahasim me imponimin e vlerave të San Françiskos dhe Berkeley-t, të cilat janë disi një ideologji e veçantë në krahasim me pjesën tjetër të botës”, tha zoti Musk. “Twitter-i, mendoj, po vepronte pak si tepër për të imponuar atë ideologji”.

Blerja e rrjetit social Twitter u shoqërua me pushime masive nga puna dhe masa të tjera për uljen e kostos së kompanisë, në kushtet kur kjo blerje, i kushton zotit Musk vetëm në interesa, 1 miliard dollarë në vit./VOA