Mushkolaj: Mediat edhe pse e patën versionin zyrtar për rastin e gruas rome, vazhduan me lajme të rreme

 

Sonte në emisionin Drejtësia në Kosovë u trajtua fenomeni i lajmeve të rreme.

Kryetari i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, duke komentuar rastin e gruas rome e cila u sulmua fizikisht disa herë për shkak të lajmeve të rreme, tha se disa media edhe pse e patën versionin zyrtar të rastit, vazhduan të japin lajme të rreme.

“Ne u kemi dërguar gjitha mediave një thirrje që mos të raportojnë rastin në kuptimin që të kenë kujdes për ndjeshmërinë e lajmit dhe duhet se thirrja ka pasur efekt te mediat që nuk e kanë prezantuar rastin si të tillë”

“Te disa media ka pasur mirëkuptim në kuptimin se kanë gabuar, respektivisht ka qenë një lëshim mënyra sesi është raportuar por për fat të keq disa media kanë vazhdu në trajtimin e rastit, pavarësisht lëshimit të komunikatës nga policia. Mediat e caktuar, edhe pse e kanë versionin zyrtar të policisë, kanë vazhduar të mbesin në pretendimin se kanë të drejtë”, ka thënë ai për Drejtësia në Kosovë.

Sipas tij, lajme të rreme ka pasur gjithmonë, por në ditët e sotme ka ndikuar zhvillimi i teknlogjisë që të shpërndahen më lehtë.

“Lajmet e rreme kanë ekzistuar gjithmonë, por mënyra e shpërndarjes ka ndryshuar. Edhe sot ka lajme të rreme edhe në gazeta, por zhvillimi i teknologjisë ka zhvilluar mënyrën e shpërndarjes për lajmet e rreme, ka krijuar një mundësi më të letë”, thotë ai.