Mushkolaj: Gjykata Kushtetuese nuk është dembele, por vendimi është konfuz
Ish-gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, ka komentuar vonesën e Gjykatës Kushtetuese deri në nxjerrjen e vendimit për votën e deputetit Etem Arifi gjatë votimit të Qeverisë Hoti.
Sipas Mushkolajt, Gjykata nuk është treguar dembele sepse kanë pasur edhe punë të tjera, por sipas saj, vendimi i plotë i publikuar sot është konfuz.
“Vonesa e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është e rëndomtë, por nuk e konsideroj se është shprehje e dembelisë sepse ky vendim është i rëndësishëm dhe ky vendim do të ketë efekte shumë të mëdha, por problemi qëndron se aktgjykimi është tejet konfuz”, tha Mushkolaj në debatin “Kallxo Pernime”.
Ajo thotë se kur është shkruar Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhjet, ekspertët që e kanë shkruar nuk kanë komunikuar mes vete, pasi që ato janë përgatitur në të njëjtën kohë.
Gjykata Kushtetuese e ka publikuar vendimin e plotë duke shpallur përfundimisht Qeverinë Hoti si antikushtetuese.
Në debatin “Kallxo Pernime” u diskutua për këtë vendim të Kushtetueses.
Të ftuar në emision ishin, Faton Fetahu nga PDK, Tomë Gashi avokat, Kreshnik Gashi kryeredaktor i KALLXO.com dhe Labinot Leposhtica nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.